Shkrimet e Shenjta

Ne mësojmë se Bibla është zbulesa e shkruar e Perëndisë dhe kështu të 66 librat e Biblës të cilët na janë dhënë nga Fryma e Shenjtë përbëjnë plotësisht (të frymëzuar njëlloj në të gjitha pjesët) Fjalën e Perëndisë (1 Kor. 2:7-14; 2 Pje. 1:20-21).

Ne mësojmë se Fjala e Perëndisë është e paanshme, zbulesë e parashtruar (1 Thes. 2:13; 1 Kor. 2:13), gojarisht e frymëzuar në çdo fjalë (2 Tim. 3:16), absolutisht e pagabueshme në dokumentat origjinalë dhe e frymëzuar nga Perëndia. Ne mësojmë interpretimin fjalë për fjalë, gramatiko-historik të Shkrimeve të cilat pohojnë besimin se kapitujt e hyrjes së Zanafillës paraqesin krijimin në gjashtë ditë (Zan. 1:31; Eks. 31: 17)

Ne mësojmë se Bibla përmban të vetmin rregull të pagabueshëm të besimit dhe të praktikimit (Mat. 5:18; 24:35; Gjon. 10:35; 16:12-13, 17:17;1 Kor. 2:13; 2 Tim. 3:15-17; Heb. 4:12; 2 Pje.1:20-21).

Ne mësojmë se Perëndia foli në Fjalën e Tij të shkruar me një proçes autorsie të dyfishtë. Fryma e Shenjtë kaq i mbikqyri Autorët njerëzorë, sa që nëpërmjet personaliteteve individuale të tyre dhe stileve të ndryshme të të shkruarit, përshkruan dhe dokumentuan Fjalën e Perëndisë për njerëzit (2 Pje. 1:20-21), pa gabime në tërësi ose veçanti. (Mat.. 5:18; 2 Tim. 3:16) Ne mësojmë se ndërsa mund të ketë më shumë se një zbatim të çfarëdo pasazhi nga Shkrimet, ka vetëm një interpretim të vërtetë. Domethënia e Shkrimeve duhet gjetur duke zbatuar metodën fjalë për fjalë, gramatiko-historike të interpretimit nën dritën e Frymës së Shenjtë (Gjon 7:17; 16:12-15;1 Kor.2:7-15; 1 Gjon. 2:20). Është përgjegjësia e besimtarëve të verifikojnë me kujdes qëllimin e vërtetë dhe kuptimin e Shkrimeve, duke dalluar që zbatimi duhur është i vërtetë për të gjithë brezat. Megjithatë Shkrimet gjykojnë njeriun, por asnjëherë njerëzit nuk mund të gjykojnë shkrimet (nuk mund të zgjedhin çfarë duan të besojnë dhe çfarë mund të besojnë).



Perëndia

Ne mësojmë se ka vetëm një Perëndi të gjallë e të vërtetë (Ligji i përtërirë 6:4, Isa. 45:6-7, 1 Kor. 8:4) i pafundëm, Frymë i gjithëdijshëm, (Gjon 4:24) i përsosur në gjitha cilësitë e Tij, një në esencë, përjetësisht egzistues në tre Persona: Ati, Biri, dhe Fryma e Shenjtë (2 Kor. 13:14, Mat. 28:19) dhe secili në mënyrë të njëllojtë, meritojnë adhurim dhe bindje.



Perëndia Atë

Ne mësojmë se Perëndia Atë, personi i parë i Trinisë, rregullon e vendos të gjitha gjërat në përputhje me qëllimin dhe hirin e Tij hyjnor (Psa. 145:8; 1Kor. 8:6). Ai është krijuesi i çdo gjëje (Zan.1:1-31, Efes. 3:9). Si sundues i vetëm absolut e i plotfuqishëm i universit, Ai është sovran në krijimin, sigurimin dhe përmbushjen e premtimeve (Psa. 103:19, Rom. 11:36). Atësia e Tij përfshin së bashku emërimin e Tij brenda Trinisë dhe marrëdhënien e Tij me njerëzit. Si Krijues Ai është Ati i të gjithë njerëzve (Efes. 4:6), por Ai është Ati shpirtëror vetëm ndaj besimtarëve (Rom. 8:14; 2 Kor. 6:18). Ai ka dekretuar për lavdinë e Tij të gjitha gjërat që do të ndodhin (Efes.1:11). Ai vazhdimisht mban, drejton dhe qeveris çdo krijesë dhe ngjarjet e jetës (1 Kro. 29:11). Në sovranitetin e Tij Ai s'është as autor, as miratues i mëkatit. (Hab. 1:13; Gjon 8:38-47), as nuk favorizon zvogëlimin e përgjegjësisë së moralit, as krijesat inteligjente (1 Pje. 1:17). Ai ka zgjedhur me anë të hirit që nga përjetësia e kaluar (para krijimit të botës), ata të cilët Ai do të ishin të Tijët (Efes. 1:4-6); ai shpëton nga mëkati të gjithë ata që vijnë tek Ai nëpërmjet Jezu Krishtit; Ai adopton si të tijët të gjithë ata që vijnë tek Ai; dhe Ai bëhet në sajë të këtij adoptimi, Ati i të Tijëve (Gjon. 1:12; Rom. 8:14; Gal. 4:5; Heb. 12:59).

 

Perëndia Bir

Ne mësojmë se Jezu Krishti, personi i dytë i Trinisë, zotëron të gjitha cilësitë hyjnore dhe në këto cilësi Ai është i njëjtë në substancë, egzistencë me Atin. (Gjoni 10:30, 14:9).

Ne mësojmë se Perëndia At, krijoi sipas vullnetit të Tij, nëpërmjet Birit të Tij Jezu Krishtit, me anë të të cilit të gjitha gjërat vazhdojnë në egzistencë dhe veprim (Gjoni 1:3, Kol.1:15-17, Heb.1:2).

Ne mësojmë se në mishërim (Perëndia duke marrë formën e njeriut) Krishti dorëzoi vetëm privilegjet hyjnore, por asgjë nga esenca e Tij hyjnore si në masë ashtu edhe në lloj. Në mishërimin e Tij, personi i dytë i përjetshëm egzistues i Trinisë i pranoi të gjitha karakteristikat thelbësore të njerëzimit dhe kështu u bë Perëndia-njeri (Fil. 2:5-8; Kol. 2:9).

Ne mësojmë se Jezusi përfaqëson njerëzimin dhe hyjninë në një të pandarë (Mik 5:2; Gjo 5:23; Kol. 2:8).

Ne mësojmë se Zoti ynë Jezu Krisht u lind nga një virgjëreshë (Isa. 7:14, Mat 1:23-25; Lluka 1:26-35), Ai ishte Perëndia i mishëruar (Gjon. 1:1,14), dhe se qëllimi i mishërimit ishte t'u shfaqte Perëndinë njerëzve, të shpengonte njeriun (Psa. 2:7-9, Isa. 9:6, Gjon. 1:29, Fil 2:9-11, Heb. 7:25-26, 1Pjet. 1:18-19).

Ne mësojmë se në mishërim, personi i dytë i Trinisë, la mënjanë të drejtën e Tij ndaj tërë privilegjeve të bashkëegzistencës me Perëndinë, zuri vendin e një Biri dhe mori përsipër egzistencën përkatëse të një shërbëtori, pa e zhveshur veten e Tij nga cilësitë hyjnore (Fil. 2:5-8).

Ne mësojmë se Zoti ynë Jezu Krisht përmbushi shpengimin tonë nëpërmjet derdhjes së gjakut të Tij dhe vdekjes sakrifikuese në kryq dhe se vdekja e Tij ishte e vullnetshme, përfaqësuese, zëvëndësuese, shlyese dhe shpenguese (Gjoni 10:15; Rom. 3:24-25, 5:8; 1Pjet. 2:24).

Ne mësojmë se në bazë të efektshmërisë së vdekjes së Zotit, mëkatari duke besuar çlirohet nga ndëshkimi, dënimi, pushteti i mëkatit, dhe kështu deklarohet i drejtë, i është dhënë jeta e përjetshme dhe birësohet (adoptohet)në familjen e Perëndisë (Rom. 3:25; 5:8-9; 2 Kor. 5:14-15; 1 Pjet. 2:24; 3:18).

Ne mësojmë se shfajësimi ynë është bërë i sigurt prej ringjalljes së vërtetë të Tij trupore nga të vdekurit dhe tashmë Ai është ulur në krahun e djathtë të Atit, ku tani, Ai ndërmjetëson si Avokati dhe Kryeprifti ynë (ndërmjetësi ynë) (Mat. 28:6; Llu. 24:38-39; Vep. 2:30-31; Rom. 4:25; 8:34; Heb. 7:25; 9:24; 1Gjon. 2:1).

Ne mësojmë se në ringjalljen e Jezu Krishtit, Perëndia konfirmoi hyjnitetin e Birit të Tij dhe dha provën që Perëndia ka pranuar veprën shlyese të Krishtit në kryq. Ringjallja trupore e Jezusit është gjithashtu garancia e ringjalljes së ardhshme të jetës për të gjithë besimtarët (Gjon. 5:26-29; 14:19; Rom. 1:4; 4:25; 6:5-10; 1 Kor. 15:20,23).

Ne mësojmë që Jezu Krishti do të kthehet për të marrë Kishën e cila është trupi i Tij për vetveten te marrja e saj dhe duke u kthyer me Kishën e Tij në lavdi do të themelojë mbi këtë tokë mbretërinë e Tij mijëvjeçare (Vep. 1:9-11; 1 Thes. 4:13-18; Zbu. 20).

Ne mësojmë se Zoti Jezu Krisht është Ai nëpërmjet të cilit Perëndia do të bëjë gjykimin e të gjithë njerëzve (Gjon. 5:22-23):

       a) Besimtarët (1Kor.3:10-15; 2 Kor.5:10)

       b) Banorët e tokës që janë gjallë në kthimin e Tij të lavdishëm (Mat. 25:31-46)

       c) Jobesimtarët e vdekur, para Fronit të Madh të Bardhë (Zbu. 20:11-15)

Duke qenë se Krishti është ndërmjetësi midis Perëndisë dhe njeriut (1 Tim. 2:5), koka e trupit të Tij, kishës (Ef. 1:22; 5:23; Kol. 1:18), dhe Mbreti Universal i cili do të mbretërojë në fronin e Davidit (Isa. 9:6; Luka 1:31-33), Ai është gjykatësi përfundimtar i të gjithë atyre të cilët nuk kanë vendosur besimin e tyre tek Ai si Zot dhe Shpëtimtar (Mat. 25:14-46; Vep. 17:30-31).

 

Perëndia Frymë e Shenjtë

Ne mësojmë se Fryma e Shenjtë është një person hyjnor, i përjetshëm, pa prejardhje, zotërues i të gjitha cilësive të personalitetit duke përfshirë intelektin (1 Kor. 2:10-13), emocionet (Efes. 4:30), vullnetin (1 Kor. 12:11), përjetësinë (Heb.9:14), kudondodhjen (Psa.139:7-10), gjith-dijshmërinë (Isa. 40:13-14), plotfuqishmërinë (Rom. 15:13), vërtetësinë (Gjon. 16:13). Në të gjitha cilësitë hyjnore Ai është i barabartë dhe i njëjtë në substancë me Atin dhe Birin (Mat 28:19; Vep. 5:3-4; Vep. 28:25-26; 1 Kor. 12:4-6; II Kor.13:14;dhe Jer. 31:33-34; me Heb. 10:15-17).

Ne mësojmë se është Puna e Frymës së Shenjtë të kryejë vullnetin hyjnor në lidhje me njerëzimin. Ne dallojmë punën e Tij sovrane në krijim (Zan. 1:2), mishërimin (Mat.. 1:18), zbulesën e shkruar (2 Pjet. 1:20-21) dhe në veprën shpëtimit (Gjon. 3:5-7).

Ne mësojmë se Puna e Frymës së Shenjtë në këtë epokë filloi në ditën e Rrëshajëve, kur Ai erdhi prej Atit, siç ishte premtuar nga Krishti (Gjon. 14:16-17, 15:26) për të filluar dhe përfunduar ndërtimin e trupit të Krishtit, që është Kisha e Tij (1 Kor 12:13). Qëllimi i gjërë i aktivitetit të Tij hyjnor përfshin ndërgjegjësimin (bindjen) e botës për mëkatin, për drejtësinë, për gjykimin, lëvdimin e Zotit Jezu Krisht, dhe shndërrimin e besimtarëve në imazhin e Krishtit (Gjon 16:7-9, Vep 1:5, 2:4, Rom 8:29, 2 Kor 3:18, Efes 3:22).

Ne mësojmë se Fryma e Shenjtë është Agjent i mbinatyrshëm dhe sovran i rilindjes, duke pagëzuar gjithë besimtarët në trupin e Krishtit (1 Kor. 12:13). Ai gjithashtu banon në ta, i shenjtëron, i udhëzon, i fuqizon ata për shërbim dhe i vulos për ditën e Shpengimit (Rom. 8:9; 2 Kor. 3:6; Efes. 1:13).

Ne mësojmë se Fryma e Shenjtë është mësuesi hyjnor i cili udhëhoqi apostujt dhe profetët nëpër gjithë të vërtetën, ndërsa ata u përkushtuan të shkruanin zbulesën e Perëndisë, Biblën. Çdo besimtar zotëron prezencën e Frymës së Shenjtë që nga momenti i shpëtimit dhe është detyra e të gjithë atyre që janë lindur nga Fryma të mbushen (kontrollohen nga) me Frymën. (Gjon. 16:13; Rom. 8:9; Efes. 5:18; 2 Pjet. 1:19-21; 1 Gjo. 2:20, 27).

Ne mësojmë se Fryma e Shenjtë administron dhuntitë Frymërore në Kishë. Fryma e Shenjtë nuk i ngre lavdi as vetvetes as dhuntive të Tij me shfaqje të jashtme te besimtarët, por i jep lavdi Krishtit duke përmbushur punën e Tij të Shpengimit të të humburve dhe ndërtimin e besimtarëve në besimin më të shenjtë (Gjon. 16:13-14; Vep. 1:8; 1 Kor. 12:4-11; 2 Kor. 3:18).

Ne mësojmë në këtë bazë që Perëndia Frymë e Shenjtë është sovran, në vënien në veprim të të gjitha dhuntive të Tij për përsosjen e shenjtorëve sot dhe se të folurit në gjuhë (të panjohura), kryerja e mrekullive shenja (mrekulli që ishin shenja) në ditët e para të kishës, kishin si qëllim të vinin në dukje autorësinë e apostujve si shpalosës të së vërtetës hyjnore dhe kurrë të synuara të ishin karakteristikë e jetëve të besimtarëve (1 Kor. 12:4-11; 13:8-10; 2 Kor. 12:12; Efes. 4:7-12; Heb. 2:1-4).

 

Njeriu

Ne mësojmë se njeriu u krijua drejtpërdrejt dhe menjëherë nga Perëndia në shëmbëlltyrën dhe ngjashmërinë e Tij. Njeriu u krijua i lirë nga mëkati me një natyrë racionale, me inteligjencë, me vullnet, me vetë-vendosshmëri dhe me përgjegjësi morale para Perëndisë (Zan. 2:7; 15:25; Jak. 3:9).

Ne mësojmë se synimi i Perëndisë në krijimin e njeriut ishte që njeriu duhej të lavdëronte Perëndinë, të shijonte shoqërinë e Perëndisë, të jetonte jetën e tij në vullnetin e Perëndisë, dhe kështu të përmbushte qëllimin e Perëndisë për njeriun në botë (Isa. 43:7; Kol. 1:16; Zbu. 4:11).

Ne mësojmë se në mëkatin e mosbindjes së Adamit, ndaj vullnetit të zbuluar dhe Fjalës së Perëndisë, njeriu humbi pafajësinë e tij, ndodhi vdekja shpirtërore dhe fizike, u bë bartës i zemërimit të Perëndisë, dhe u bë trashëgimisht i korruptuar dhe plotësisht i paaftë të zgjedhë çfarë është e pranueshme tek Perëndia, mënjanë nga hiri hyjnor. Pa fuqi brenda tij për të ndryshuar veten, njeriu eshtë pa shpresa, i humbur. Prandaj, shpëtimi i njeriut është tërësisht prej mëshirës së Perëndisë, nëpërmjet punës shpenguese të Zotit tonë Jezu Krisht (Zan. 2:16-17; 3:1-19; Gjo. 3:36; Rom. 3:23; 6:23; 1 Kor. 2:14; Efes. 2:1-3; 1 Tim. 2:13-14; 1 Gjo. 1:8).

Ne mësojmë se meqenëse të gjithë njerëzit ishin në Adamin, një natyrë e korruptuar nga mëkati i Adamit, është shtrirë tek të gjithë njerëzit e të gjitha epokave, Jezu Krishtin duke qenë përjashtimi i vetëm. Të gjithë njerëzit janë mëkatarë nga natyra, nga zgjedhja dhe nga shpallja hyjnore (Psa. 14:1-3; Jer. 17:9; Rom. 3:9-18; 23; 5:10-12).

 

Shpëtimi

 

Ne mësojmë se shpëtimi është tërësisht prej Perëndisë, me anë të hirit, i bazuar në bazat e shpengimit të Jezu Krishtit, meritës së gjakut të Tij të derdhur dhe jo i bazuar në meritat apo veprat njerëzore (Gjo. 1:12; Efes. 1:7; 2:8-10; 1 Pjet. 1:18-19).



Rigjenerimi

Ne mësojmë se rigjenerimi (rilindja për së dyti) është një vepër e mbinatyrshme e Frymës së Shenjtë nga i Cili jepen natyra dhe jeta hyjnore (Gjon. 3:3-7; Tit. 3:5). Rigjenerimi është i menjëhershëm dhe krijohet vetëm nga fuqia e Frymës së Shenjtë përmes Fjalës së Perëndisë (Gjon. 5:24), kur mëkatari i penduar dhe i mundësuar nga Fryma e Shenjtë, i përgjigjet me besim mesazhit hyjnor të shpëtimit.

Rigjenerimi i vërtetë manifestohet nga frutat e denja të pendimit që shfaqen në qëndrime dhe sjellje të drejta. Veprat e mira do të jenë prova dhe fruti i përshtatshmën (1 Kor. 6:19-20; Efes. 2:10) dhe do të manifestohen për aq kohë sa besimtari i nështrohet kontrollit të Frymës së Shenjtë në jetën e tij përmes bindjes besnike ndaj Fjalës së Perëndisë (Efes. 5:17-21; Fil. 2:12; Kol. 3:16; 2 Pjet. 1:4-10). Kjo bindje shkakton që besimtari gjithmonë e më tepër t'i konformohet shëmbëlltyrës së Zotit tonë Jezu Krisht       (2 Kor. 3:18). Një përshtatje e tillë arrin kulmin me transformimin e besimtarit (shndërrimin e besimtarëve në trupa të pavdekshëm, pa natyrë mëkatare) në ardhjen e Krishtit (Rom. 8:17; 2 Pjet. 1:4; 1 Gjo. 3:2-3).



Zgjedhja

Ne mësojmë se zgjedhja është vepra e Perëndisë me anë të së cilës, përpara themelimit të botës, Ai zgjodhi në Krishtin të gjithë ata të cilët Ai me hir rilind, shpëton dhe shenjtëron (Rom. 8:28-30; Efes. 1:4-11; 2 Thes. 2:13; 2 Tim. 2-10; 1 Pjet. 1:1-2).

Ne mësojmë se zgjedhja sovrane nuk kontradikton ose mohon përgjegjësinë e njeriut për t'u penduar e për të besuar Krishtin si Shpëtimtar dhe Zot (Ezek. 18:23, 32; 33:11; Gjon. 3:18-19, 36; 5-40; Rom. 9:22-23; 2 Sel. 2:10-12; Zbu. 22-17). Megjithatë, meqënëse hiri sovran përfshin mënyrën e marrjes së dhuratës së shpëtimit si edhe dhuratën vetë, zgjedhja sovrane do të ketë si rezultat atë që Perëndia cakton. Të gjithë ata të cilët Ati i thërret tek Vetja do të vijnë në besim dhe të gjithë ata të cilët vijnë në besim, Ati do t'i pranojë (Gjon. 6:37-40;44; Vep.13:48; Jak. 4:8).

Ne mësojmë se favori i pamerituar që Perëndia i dhuron të gjithë mëkatarëve plotësisht të shthurur, nuk ka lidhje me asnjë inisiativë nga ana e tyre, por plotësisht nga hiri i tij sovran (Efes. 1:4-7; Tit. 3:4-7; 1 Pjet. 1:2).

Ne mësojmë se zgjedhja nuk duhet parë si e bazuar thjesht nga një zgjedhje sovrane e abstrakte. Perëndia është me të vërtetë sovran, por Ai e ushtron këtë sovranitet në harmoni me atributet e tjera të Tij, veçanërisht gjithë-diturinë, drejtësinë, shenjtërinë, zgjuarsinë, hirin dhe dashurinë e Tij (Rom. 9:11-16). Ky sovranitet gjithmonë do të ngrejë lart vullnetin e Perëndisë në një mënyrë krejtësisht të përputhshme me karakterin e Tij, siç u zbulua në jetën e Zotit tonë Jezu Krisht (Mat. 11:25-28; 2 Tim. 1:9).

 

Shfajësimi

Ne mësojmë se shfajësimi para Perëndisë është vepër e Perëndisë (Rom 8:33) me anë të së cilit Ai deklaron të drejtë ata që përmes besimit në Krisht, pendohen për mëkatet e tyre (Isa. 55:6-7; Llu 13:3; Vep. 2:38; 3:19; 11:18; Rom. 2:4; 2 Kor. 7:10) dhe e pranojnë Atë si Zot sovran (Rom. 10:9-10; 1 Kor. 12:3; 2 Kor. 4:5; Fil. 2:11). Kjo drejtësi nuk vjen nga ndonjë cilësi apo vepër të njeriut (Rom. 3:20; 4:6) dhe përfshin numërimin e mëkateve tona (pasimin) te Krishti (Kol. 2:14; 1 Pjet. 2:24) dhe pasimin (numërimin) e drejtësisë së Krishtit mbi ne (1 Kor. 1:30; 2 Kor. 5:21). Mbi këtë bazë, Perëndia është në gjendje " të jetë i drejtë dhe shfajësuesi i atij që ka besim tek Jezusi " (Rom. 3:26).

 

Shenjtërimi

Ne mësojmë se çdo besimtar është shenjtëruar (vendosur mënjanë) para Perëndisë nëpërmjet shfajësimit, dhe prandaj është deklaruar të jetë i shenjtë dhe prandaj është identifikuar si shenjtor. Ky shenjtërim është pozicional, i menjëhershëm dhe nuk duhet ngatërruar me shenjtërimin praktik progresiv. Ky shenjtërim ka të bëjë me pozicionin e besimtarit dhe jo me ecjen apo jetën e tij (Vep. 20:32; 1 Kor. 1:2, 30; 6:11; 2 Thes. 2:13; Heb. 2:11; 3:1; 10:10, 14; 13:12; 1 Pjet. 1:2).

Ne mësojmë se nëpërmjet punës së Frymës së Shenjtë, ka gjithashtu një shenjtërim të vazhdueshëm praktik prej së cilit gjendja e besimtarit është sjellë më afër pozicionit që besimtari gëzon pozicionalisht nëpërmjet shfajësimit.. Përmes bindjes ndaj Fjalës së Perëndisë dhe fuqizimit nga Fryma e Shenjtë, besimtari është në gjendje të jetojë një jetë të shenjtëruar në rritje, në përputhje me vullnetin e Perëndisë, duke u bërë gjithnjë e më shumë i ngjashëm me Zotin tonë Jezu Krisht (Gjon. 17:17,19; Rom. 6:1-22; 2 Kor. 3:18; 1 Thes. 4:3-4; 5:23).

Ne mësojmë se mbi këtë bazë çdo person i shpëtuar është i përfshirë në një konflikt të përditshëm, krijesa e re në Krisht lufton kundër mishit, por zgjidhja e duhur është bërë e mundur për fitore përmes fuqisë së Frymës së Shenjtë që banon tek ne. Sidoqoftë, lufta mbetet për besimtarin gjatë gjithë jetës së tij tokësore dhe kurrë nuk është arritur në mbarim. Të gjitha thëniet për zhdukjen e mëkatit nuk janë Biblike. Zhdukja e mëkatit nuk është e mundur, por Fryma e Shenjtë siguron fitore mbi mëkatin (Gal. 5:16-25; Efes. 4:22-24; Fil. 3:12; Kol. 3:9-10; 1 Pjet. 1:14-16; 1 Gjo. 3:5-9).

 

Siguria

Ne mësojmë se të gjithë të shpenguarit me t’u shpëtuar mbahen nga fuqia e Perëndisë dhe kështu janë të siguruar në Krisht përgjithmonë (Gjon. 5:24; 6:37-40; 10:27-30; Rom. 5:9-10; 8:1, 31-39; 1 Kor. 1:4-8; Efes. 4:30; Heb. 7:25; 13:5; 1 Pje. 1:5; Juda 24). Ne mësojmë se është privilegj i besimtarëve të gëzohen në sigurinë e shpëtimit të tyre përmes dëshmisë së Fjalës së Perëndisë, e cila, sidoqoftë, qartësisht ndalon përdorjen e lirisë së krishterë si rast për një jetë mëkatare dhe mishërore. (Rom. 6:15-22; 13:13-14; Gal. 5:13, 25-26; Tit. 2:11-14).



Ndarja

Ne mësojmë se ndarja nga mëkati është qartësisht kërkuar përgjatë gjithë Testamenti të Vjetër e të Ri dhe se Shkrimet e Shenjta qartësisht tregojnë, se në ditët e fundit apostezia dhe materialistët do të rriten (2 Kor. 6:14--7:1; 2 Tim. 3:1-5).

Ne mësojmë se nga mirënjohja e thellë për hirin e pamerituar që Perëndia na ka falur, dhe meqenëse Perëndia ynë i lavdishëm është kaq i denjë për përkushtimin tonë të plotë, të gjithë të shpëtuarit duhet të jetojnë në një mënyrë që shpreh dashurinë tonë adhuruese ndaj Perëndisë, e tillë që të mos sjellë sharje Zotit dhe Shpëtimtarit tonë. Ne gjithashtu mësojmë, se ndarja nga të gjithë mohuesit e besimit dhe praktikat mëkatare të botës, është urdhëruar nga Perëndia (Rom. 12:1-2; 1 Kor. 5:9-13; 2 Kor. 6:14; 7:1; 1 Gjon. 2:15-17; 2 Gjo. 9-11).

Ne mësojmë se besimtarët duhet të veçohen ndaj Zotit tonë Jezu Krisht (Rom. 1:1; 2 Thes. 1:11-12; Heb. 12:1-2) duke pohuar që jeta e krishterë është një jetë bindjeje ndaj drejtësisë së shpalosur nga një sjellje e lumtur (Mat. 5:2-12) dhe në një ndjekje të vazhdueshme të shenjtërisë (Rom. 12:1-2; 2 Kor. 7:1; Tit. 2:11-14; Heb.12:14; 1 Gjo.3:1-10).

 

Kisha

Ne mësojmë se të gjithë ata që vendosnin besimin e tyre në Jezu Krishtin janë vendosur menjëherë nga Fryma e Shenjtë në një trup të bashkuar frymëror, Kishën (1 Kor. 12:12-13), nusen e Krishtit (2 Kor. 11:2; Efes. 5:23-32; Zbu. 19:7-8), koka e së cilës është Jezu Krishti (Efes. 1:22; 4:15; Kol. 1:18).

Ne mësojmë se formimi i Kishës, trupi i Krishtit, filloi në ditën e Rrëshajëve (Vep. 2:1-21,38-47) dhe do të përfundojë me ardhjen e Krishtit për të marrë të Tijët në marrjen e Kishës (1 Kor. 15:51-52; 1 Sel. 4:13 18).

Ne mësojmë se Kisha është një organizëm i vetëm frymëror i hartuar prej Krishtit, përbërë prej besimtarësh të rilindur në epokën tanishme (Efes. 2:11-3:6). Kisha është e dallueshme nga Izraeli (1 Kor. 10:32), një mister i pa shpallur deri në këtë epokë (Efes. 3:1-6; 5:32).

Ne mësojmë se themelimi dhe vazhdimësia e kishave lokale është mësuar e përcaktuar qartë në shkrimet e Testamentit të Ri (Vep. 14:23, 27; 20:17, 28; Gal. 1:2; Fil. 1:1; 1 Thes. 1:1; 2 Thes. 1:1) dhe se anëtarët e një trupi të vetëm shpirtëror të Krishtit udhëzohen të mblidhen së bashku në bashkësi lokale (1 Kor. 11:18-20; Heb. 10:25).

Ne mësojmë që autoriteti i vetëm dhe suprem për kishën është Jezu Krishti (1 Kor. 11:3; Efes. 1:22; Kol 1:18) dhe drejtimi i kishës, dhuntitë, rregulli, disiplina dhe adhurimi janë caktuar që të gjitha me anë të sovranitetit të Tij siç gjendet në Shkrimet e Shenjta. Biblikisht, drejtuesit e caktuar për të shërbyer nën Krishtin dhe mbi bashkësinë janë pleqtë (që quhen gjithashtu peshkopë, pastorë ose pastorë-mësues; Vep. 20:28; Efes. 4:11) dhe dhjakët, të dy palët duhet të përmbushin cilësitë Biblike (1 Tim. 3:1-13; Tit. 1:5-9; 1 Pjet. 5:1-5).

Ne mësojmë se këta drejtues udhëheqin apo drejtojnë si shërbëtorë të Krishtit (1 Tim. 5:17-22) dhe se kanë autoritetin e Tij në drejtimin e Kishës. Bashkësia duhet t’i nënshtrohet (bindet) udhëheqjes së tyre (Heb. 13:7, 17).

Ne mësojmë rëndësinë e dishepullizimit (Mat. 28:19-20; 2 Tim. 2:2), përgjegjësisë së ndërsjellë të të gjithë besimtarëve me njëri tjetrin (Mat. 28:5-14), po aq sa edhe nevojën e disiplinës së anëtarëve të bashkësisë, kur mëkatojnë, në përputhje me normat e Shkrimeve të Shenjta (Mat. 18:15-22; Vep. 5:1-11; 1 Kor. 5:1-13; 2 Thes. 3:6-15; 1 Tim. 1:19-20; Tit. 1:10-16).

Ne mësojmë autonominë e Kishës lokale, të lirë nga çdo autoritet apo kontroll i jashtëm, të drejtën e saj të vetë-qeverisjes dhe lirinë nga ndërhyrjet e çdo hierarkie individësh apo organizatash (Tit. 1:5). Ne mësojmë se është Biblike që kishat e vërteta të bashkëpunojnë me njëra- tjetrën për paraqitjen dhe përhapjen e besimit.. Çdo kishë lokale, sidoqoftë, nëpërmjet pleqve të saj dhe interpretimeve e zbatimeve të tyre të Shkrimeve të Shenjta, duhet të jetë gjykatësi i vetëm i masës dhe metodës së bashkëpunimit midis tyre. Pleqtë duhet të përcaktojnë të gjitha çështjet e tjera të anëtarësisë, rregullit, disiplinës, mirëdashjes dhe qeverisjes gjithashtu (Vep. 15:19-31; 20:28; 1 Kor. 5:4-7, 13; 1 Pjet. 5:1-4).

Ne mësojmë se qëllimi i Kishës është të lavdërojë Perëndinë (Efes. 3:21) duke e ndërtuar veten në besim (Efes. 4:13-16), me anë të udhëzimeve të Fjalës së Perëndisë (2 Tim. 2:2, 15; 3:16-17), me anë të vëllazërimit (Vep. 2:47; 1 Gjon. 1:3), duke mbajtur urdhërimet (Lluk. 22:19; Vep. 2:38-42), dhe duke dërguar e përhapur lajmin e mirë në gjithë botën (Mat. 28:19; Vep. 1:8; 2:42).

Ne mësojmë thirrjen e të gjithë shenjtorve në punën e shërbimit (1 Kor. 15:58; Efes. 4:12; Zbu. 22:12).

Ne mësojmë nevojën e kishës për të bashkëpunuar me Perëndinë ndërsa Ai arrin qëllimin e Tij në botë. Si përfundim Ai i jep kishës dhunti frymërore. Ai jep njerëz të zgjedhur me qëllimin për pajisjen e shenjtorëve për punën e ungjillizimit (Efes. 4:7-12) dhe Ai gjithashtu i jep aftësi Frymërore unike të veçanta secilit pjestar të trupit të Krishtit (Rom. 12:5-8; 1 Kor. 12:4-31; 1 Pjet. 4:10-11).

Ne mësojmë se Kishës së hershme i janë dhënë dy lloje dhuntish: dhuntitë mrekulluese të zbulesës hyjnore dhe shërimit, të dhëna përkohësisht në periudhën apostolike me qëllim të vërtetësisë së autorësisë të mesazhit të apostujve (2 Kor. 12:12; Heb. 2:3-4); dhe dhuntitë e shërbimit dhënë për të pajisur besimtarët ndërsa ndërtojnë njëri tjetrin. Me zbulimin e Testamentit të Ri tashmë të plotë, shkrimet e shenjta bëhen e vetmja provë e vërtetësisë së mesazhit të njeriut dhe dhuntitë konfirmuese me natyrë mrekullie s’janë më të nevojshme për besueshmërinë e një njeriu apo mesazhit të tij (1 Kor. 13:8). Dhuntitë mrekullie mund të kopjohen madje edhe nga Satani,saqë mund të mashtrojnë edhe besimtarët (1 Kor. 13:13-14:12; Zbu. 12:6-8). Të vetmet dhunti në veprim sot janë ato jo zbuluese, dhunti pajisëse dhënë për ndërtim (Rom. 12:6-8).

Ne mësojmë se askush nuk zotëron dhuntinë e shërimit sot por se Perëndia i dëgjon e i përgjigjet lutjes së besimtarit, dhe do t'i përgjigjet në përputhje me vullnetin e Tij të përsosur, për të sëmurët, të vuajturit dhe të pezmatuarit (Lluk. 18:1-6; Gjon. 5:7-9; 2 Kor. 12:6-10; Jak. 5:13-16; 1 Gjon. 5:14-15).

Ne mësojmë se dy urdhëresat i janë besuar Kishës lokale: pagëzimi dhe Darka e Zotit (Vep. 2:38-42). Pagëzimi i të krishterëve me zhytje (Vep 8:36-39) është dëshmia solemne dhe e bukur e një besimtari që tregon për besimin e tij në shpëtimtarin e kryqëzuar, të varrosur dhe të ringjallur, dhe bashkimin e tij në vdekje ndaj mëkatit, dhe në ringjalljen në një jetë të re (Rom. 6:1-11). Është gjthashtu një shenjë bashkimi dhe identifikimi me trupin e dukshëm të Krishtit (Vep. 2:41-42).

Ne mësojmë se Darka e Zotit është përkujtimi dhe shpallja e vdekjes së Tij deri kur Ai të vijë dhe se gjithmonë duhet paraprirë nga një vetë-egzaminim serioz (1 Kor. 11:28-32). Ne mësojmë gjithashtu se ndërsa elementët e kësaj shërbese janë vetëm simbole të mishit dhe gjakut të Krishtit, megjithatë Darka e Zotit është një bashkësi aktuale me Krishtin e ringjallur i cili është i pranishëm në një mënyrë krejt të veçantë, duke u vëllazëruar me njerëzit e Tij (1 Kor.10:16).

 

 

Engjëjt e shenjtë

Ne mësojmë se engjëjt janë qenie të krijuara dhe prandaj nuk janë për t’u adhuruar. Megjithëse ato janë një shkallë krijimi më lartë se njeriu, ata janë krijuar t’i shërbejnë Perëndisë dhe ta adhurojnë Atë (Lluk. 2:9-14; Heb. 1:6-7, 14; 2:6-7; Zbu. 5:11-14; 19:10; 22:9).

 

Engjëjt e rënë

Ne mësojmë se Satani është një engjëll i krijuar dhe autori i mëkatit. Ai mori mbi vete gjykimin e Perëndisë kur rebeloi kundër krijuesit të Tij (Isa. 14: 12-17; Eze. 28: 11-19) duke marrë engjëj të shumtë me vete në rënien e vet (Mat. 25:41; Zbu. 12:1-14) dhe duke futur mëkatin në racën njerëzore me anë të tundimit të Evës (Zan. 3:1-15).

Ne mësojmë se Satani është armik i hapur dhe i deklaruar i Perëndisë dhe i njeriut (Isa. 14:13-14; Mat. 4:1-11; Zbu. 12:9-10), princi i kësaj bote që ka pësuar disfatë nëpërmjet vdekjes dhe ringjalljes së Jezu Krishtit (Rom. 16:20) dhe se ai do të ndëshkohet përjetësisht në liqenin e zjarrtë (Isa. 14:12-17; Eze. 28:11-19; Mat. 25:41; Zbu. 20:10).

 

 

Gjërat e Fundit



Vdekja

Ne mësojmë se vdekja fizike nuk përfshin ndonjë humbje të ndërgjegjjes sonë jomateriale, (Zbu. 6:9-11), se shpirti i të shpenguarit kalon menjëherë në praninë e Krishtit (Llu. 23:43; Fil. 1:23; 2 Kor. 5:8) se ka një ndarje të shpirtit me trupin (Fil. 1:21-24) dhe një ndarje e tillë do të vazhdojë deri në marrjen e Kishës (1 Thes. 4:13-17) që shënon ringjalljen e parë (Zbu 20:4-6) kur shpirti dhe trupi do të ribashkohen për t'u lavdëruar përgjithmonë me Zotin tonë (Fil. 3:21; 1 Kor. 15:35-44, 50-54). Deri në atë kohë shpirtërat e të shpenguarve në Krisht mbeten në shoqëri gëzimplote me Zotin tonë Jezu Krisht (2 Kor. 5:8).

Ne mësojmë ringjalljen trupore të të gjithë njerëzve, të shpëtuarit në jetë të përjetshme (Gjon. 6:39; Rom. 8:10-11, 19-23; 2 Kor. 4:14) dhe të pashpëtuarit për gjykim dhe ndëshkim të përjetshëm (Dan. 12:2; Gjo. 5:29; Zbu. 20:13-15). Ne mësojmë se shpirtrat e të vdekurve të pashpëtuar mbahen nën ndëshkim deri në ringjalljen e dytë (Llu. 16:19-26; Zbu. 20:13-15) kur shpirti dhe trupi i ringjallur do të bashkohen (Gjon. 5:28-29). Ata do të shfaqen atëherë tek Froni i Madh i Bardhë i gjykimit (Zbu. 20:11-15) dhe do të flaken në ferr në liqenin e zjarrit, (Mat. 25:41-46) ndarë nga jeta e Perëndisë përgjithmonë (Dan. 12:2; Mat. 25:41-46; 2 Thes. 1:7-9).



Marrja e Kishës

Ne mësojmë kthimin trupor personal të Jezus Krishtit para Periudhës shtatëvjeçare të trazirave (1 Thes. 4:16; Tit. 2:13) të zhvendosë Kishën e Tij nga kjo tokë (Gjon. 14:1-3; 1 Kor. 15:51-53; 1 Thes. 4:15-5:11) dhe, midis kësaj ngjarje deri në kthimin e Tij të lavdishëm bashkë me shenjtorët e Tij. Ai shpërblen besimtarët në bazë të veprave të tyre (1 Kor. 3:11-15; 2 Kor. 5:10).



Periudha e trazirave

Ne mësojmës se menjëherë pas zhvendosjes së kishës nga toka (Gjon. 14:1-3; 1 Thes. 4:13-18) gjykimet e drejta të Perëndisë do të derdhen mbi një botë jobesimtare (Jer. 30:7; Dan. 9:27; 12:1; 2 Thes. 2:7-12; Zbu. 16) dhe këto gjykime do të arrijnë kulmin me kthimin e Krishtit në lavdi mbi tokë (Mat . 24:27-31; 25:31-46; 2 Thes. 2:7-12). Në atë kohë shenjtorët e periudhës së trazirave dhe ata të Testamentit të Vjetër do të ngrihen dhe të gjallët do të gjykohen (Dan. 12:2-3; Zbu. 20:4-6). Kjo periudhë përfshin javën e shtatëdhjetë të profecisë së Danielit (Dan. 9:24-27; Mat. 24:15-31; 25:31-46).

Ardhja e dytë dhe mbretërimi mijëvjeçar

Ne mësojmë se pas periudhës së trazirave, Krishti do të vijë në tokë të zërë fronin e Davidit (Mat. 25:31; Llu. 1:31-33; Vep. 1:10-11; 2:29-30) dhe vendosë mbretërinë e Tij Mesianike për 1000 vjet në tokë (Zbu.20:1-7). Gjatë kësaj kohe shenjtorët e ringjallur do të mbretërojnë me Atë mbi Izrael dhe të gjithë kombet e botës (Eze. 37:21-28; Dan. 7:17-22; Zbu. 19:11-16). Ky mbretërim do të paraprihet nga përmbysja e Antikrishtit dhe Profetit të rremë dhe nga zhvendosja e Satanit nga bota (Dan. 7:17-27; Zbu. 20:1-7). Ne mësojmë se vetë mbretëria do të jetë përmbushja e premtimit të Perëndisë dhënë Izraelit (Isa. 65:17-25; Eze 37:21-28; Zak. 8:1-17) për kthimin e tyre në vendin që ata e humbën me mosbindjen e tyre (Ligji i Përtërirë 28:15-68). Rezultati i mosbindjes së tyre ishte se Izraeli ishte vënë mënjanë përkohësisht (Mat. 21:43; Rom. 11:1-26) por do të zgjohet përsëri nëpërmjet pendimit për të hyrë në Tokën e Bekimit (Jer. 31:31-34; Eze. 36:22-32; Rom. 11:25-29).

Ne mësojmë se kjo kohë e mbretërimit të Zotit tonë do të karakterizohet nga harmonia, drejtësia, paqja dhe jeta e gjatë (Isa. 11; 65:17-25; Eze. 36:33-38) dhe do të mbarojë me lirimin e Satanit (Zbu. 20:7).

 

Gjykimi i të humburve

Ne mësojmë se me lirimin e Satanit pas 1000 vjetëve mbretërim të Jezu Krishtit (Zbu. 20:7), Satani do t’i mashtrojë kombet e tokës duke i mbledhur për t’i hedhur në luftë kundër shenjtorëve dhe qytetit të dashur, kohë kjo, kur ai dhe ushtria e vet do të gllabërohen me zjarr që zbret nga qielli (Zbu. 20:9). Pas kësaj, Satani do të hidhet në liqenin e zjarrtë me squfur (Mat. 25:41; Zbu. 20:10) dhe Krishti i cili është gjykatësi i gjthë njerëzve (Gjon. 5:22) do të ringjallë dhe gjykojë të madh e të vogël tek i madhi Fron i Madh i Bardhë i Gjykimit. Ne mësojmë se kjo ringjallje e të vdekurve të pashpëtuar për gjykim do të jetë ringjallje fizike ku ata do të marrin gjykimin e tyre (Rom. 14:10-13) dhe do t'i dorëzohen një ndëshkimi të përjetshëm e të ndërgjegjshëm, në liqenin e zjarrtë (Mat. 25:41; Zbu. 20:11-15).



Përjetësia

Ne mësojmë që pas mbylljes së mijëvjeçarit, lirimit të përkohshëm të Satanit dhe gjykimit të jobesimtarëve (2 Thes. 1:9; Zbu. 20:7-15), të shpëtuarit do të hyjnë në lavdinë e përjetësisë me Perëndinë, pas të cilës elementët e kësaj toke do të shpërbëhen (2 Pjet. 3:10) dhe zëvendësohen me një tokë të re, ku vetëm drejtësia jeton (Efes. 5:5; Zbu. 20:15; 21-22). Në vazhdim të kësaj, qyteti qiellor, do të ulet nga qielli (Zbu. 21:2) dhe do të jetë vendbanimi i shenjtorëve ku ata do të gëzojnë shoqëri të përjetshme me Perëndinë dhe njëri-tjetrin (Gjon. 17:3; Zbu 20, 21). Zoti ynë Jezu Krisht që ka përmbushur misionin e Tij shpengues, do t’ia dorëzojë mbretërinë Perëndisë At, (1 Kor. 15:24-28) që në të gjitha sferat e qelizat Perëndia trini të mbretërojë në përjetësi (1 Kor. 15:28).

 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
  • facebook_circle_color-512.png
  • Google_plus-a9779ddce0033de6d723bfd3c6516b64.png
  • youtube_circle_color-512.png

Na ndiqni ne...

©2015 Kisha e Hirit Tirane.